ENERGJI ASHTA feston ditën e lumit Drin

Kompania prezanton para të ftuarve të vetmin kanal për kalimin e peshqve të ndërtuar në Shqipëri

Ashtë 17, Maj 2014

Sot hidrocentrali i Ashtës u rrethua nga një atmosferë veçanërisht festive. Mbështetur nga GIZ Albania, miq dhe të ftuar festuan sot ditën e lumit Drin. Ky aktivitet kremtohet njëkohësisht edhe në Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni dhe Shqipëri me pjesmarrjë të përfaqësuesve të vendeve fqinje çdo të shtunë të tretë të muajit maj. Duke ndjekur shembullin e ditës së Danubit, ky aktivitet synon të promovojë vlerat e lumit Drin, biodiversitetin e tij specifik dhe një shfrytëzim të qëndrueshëm të potencialeve të tij.

HEC-i i Ashtës mirëpriti në këtë rast të veçantë shumë vizitorë për t’u treguar atyre kanalin e kalimit të peshqve të ndërtuar për herë të parë në Shqipëri që prej viteve 79 të shekullit të 20. Ky kalim i ri i lejon peshqit që të notojnë nga deti Adriatik në rezervuarin e Spatharës. Po ashtu, kanali mundëson lidhjen e pjesëve të fragmentëzuara të lumit Drin dhe përmirësimin e larmishmërisë dhe numrin e peshqve.

Mbrojtja mjedisore ka qenë gjithnjnë në themelet e aktivitetit të kompanisë Energji Ashta. Gjatë periudhës së ndërtimit janë aplikuar një set standardesh për mbrojtjen ndaj mjedisit, standarde të cilat janë ndjekur rigorozisht edhe gjatë fazës së tanishme të shfrytëzimit. Energji Ashta ka aktivizuar një skemë monitorimi mjedisor për të mbikqyrur impaktin e shfrytëzimit të hidrocentralit në natyrë.

HEC-i i Ashtës është një projekt i padëmshëm ndaj mjedisit pasi energjia prodhohet pa ndotur ajrin, duke kursyer 114.000 tonë CO² në vit. Projekti i Ashtës është zhvilluar bazuar në Mekanizmin për Zhvillimi të Pastër në Kuadër të Konventës së Kombeve të Bashkuara mbi Ndryshimet Klimatike (UNFCCC).

Energji Ashta është shumë krenare që ka mbështetur implementimin e këtij projekti ambicioz, i cili do të forcojë marrëdhëniet e banorëve me pasuritë natyrore që i rrethon si dhe të rrisë ndërgjegjësimin për parandalimin e ndotjes së lumit Drin.

Facebook
Twitter
LinkedIn