Për të dytin vit radhazi energji ashta nxit shkollat lokale për të mbrojtur mjedisin.

Ceremonia e dhënies së çmimeve për projektin e qëndrueshem “ Ta ruajmë të bukur komunën tonë” Vau i Dejës, 28 Maj 2015 Data 28 Maj shënoi finalizimin e një projekti mjedisor mjaft të gjerë dhe ambicioz “Trego vlerat, hidh në kosh plehrat ” të iniciuar nga Energji Ashta në bashkëpunim me shkollat lokale të Mjedës dhe Vaut të Dejës. Rritja e ndërgjegjësimit ndaj grumbullimit dhe menaxhimit të mbeturinave ishte kryefjala e këtij projekti të shtrirë përgjatë këtyre muajve. Të dyja komunitetet që jetojnë përgjatë rrjedhës së lumit Drin po bëhen dëshmitare të asaj që mund të konsiderohet një “katastrofë e paralajmëruar ekologjike” për shkak të ndotjes së rëndë në lumin Drin. Në ceremoninë e dhënies së çmimeve sot, Peter Stelzer, drejtor menaxhues i kompanisë Energji Ashta, falenderoi të dyja shkollat për pjesëmarrjen e tyre dhe u dorëzoi secilës shkollë pjesëmarrëse çeqet simbolike me vlerë 1.000 Euro secili, fonde që do të shkojnë për plotësimin e nevojave infrastrukturore të shkollave. HEC- i i Ashtës është HEC-i i fundit në kaskadën e lumit Drin. I ndërtuar me një teknologji moderne, HEC-i me një kapacitet prej më shumë se 52 MË ka kontribuar në parandalimin e kalimit të pothuajse 20 tonëve mbetje (vetëm për periudhën janar – prill 2015) që pluskonin në Drin dhe që rrjedhimisht do të përfundonin në detin Adriatik. Mbeturinat e grumbulluara në pajisjen e posaçme të vendosur para turbinave janë të shumllojshme, ku përfshihen edhe kafshë të ngordhura nga fermat e ndodhura pranë. Duke peshuar seriozitetin e kësaj situate, veçanërisht duke konsideruar faktin që ujërat e kontaminuar përdoren për të ujitur kopshtet apo për qëllime të tjera shtëpiake, Energji Ashta ndjeu përgjegjësinë të niste një projekt që do të informonte banorët e zonave përqark HEC-it për rreziqet që mund të cënonin shëndetin e tyre.

Projekt i qëndrueshëm. Sot Energji Ashta ishte shumë e kënaqur të merrte pjesë në finalizimin e projektit “ Trego vlerat, hidh në kosh plehrat. T‘a ruajmë të bukur komunën tonë!”, e organizuar për të dytin vit radhazi. Çdo shkollë prezantoi një projekt në lidhje me impaktin që këto mbetje do të kishin në mjedisin dhe popullsinë e zonave respektive. Gjatë fazës përgatitore të prezantimit, fëmijët e udhëhequr nga mësuesit e tyre, dolën vullnetarë në pastrimin e zonave të ndotura përreth shkollavë të tyre. Nxënës shumë të motivuar të Gjimnazit të Mjedës e shndërruan njërën nga këto zona në një shesh-pushimi mjaft të këndshëm duke përdorur materiale të ndryshme të gjetura përgjatë rrjedhës së lumit Drin, për të ndërtuar stola dhe çadra dhe objekte të tjera, të nevojshme për një park. Përgjatë ceremonisë së dhënies së çmimeve, Peter Stelzer, drejtor menaxhues i Energji Ashtës theksoi edhe njëherë rëndësinë e këtyre projekteve për të dy komunitetet dhe Energji Ashtën. Ai u shpreh: “Jam shumë i lumtur që jam këtu sot dhe mbështes për të dytin vit radhazi të dyja këto shkolla për t’i dhënë rëndësinë e duhur kësaj çështjeje. Energji Ashta përfaqëson standardet më të larta sociale dhe mjedisore dhe këto janë vlerat që ne duam të ndajmë me fqinjët tanë.” Në ceremoninë e dhënies së çmimeve, Peter Stelzer, drejtor menaxhues i kompanisë Energji Ashta, falenderoi të dyja shkollat për pjesëmarrjen e tyre dhe u dorëzoi secilës shkollë pjesëmarrëse çeqet simbolike me vlerë 1.000 Euro secili – fonde që do të shkojnë për plotësimin e nevojave infrastrukturore të shkollave.

Si nisi projekti?
Ky aktivitet kurorëzoi një angazhim më të gjerë si nga Energji Ashta, ashtu edhe nga shkollat e Mjedës dhe Vaut të Dejës. Në nëntorin e vitit 2013, kompania ndërmjetësoi pjesëmarrjen e mësuesëve përkatës të lëndës së biologjisë në një seminar mjedisor të organizuar nga Kultur Kontakt Austria me pjesëmarrjen e shkollave të ndryshme nga i gjithë vendi. Në shkurt të vitit 2014 një eksperte biologjie u kontraktua nga Energji Ashta për të zhvilluar disa leksione për rritjen e ndërgjegjësimit mjedisor në të dyja shkollat. Përgjatë dy javëve nxënësit mësuan rreth mbetjeve të rrezikshme ndaj shëndetit, menaxhimin e tyre, riciklimin dhe çështje të tjera të lidhura me to. Gjatë fazës së dytë të projektit, fëmijë të të dyja shkollave bazuar në informacionin e marrë gjatë leksioneve mjedisore, nisën të përgatisin vizatime të lidhura me mbrojtjen e mjedisit, objekte të reja nga mbetje të riciklueshme, të pastronin mjediset rreth shkollës apo vendbanimeve, si dhe të shpërndanin broshura ndërgjegjësuese tek banorët e zonave ku jetojnë. Gjatë kësaj faze, Energji Ashta u ka siguruar shkollave të gjitha materialet bazë apo pajisjet e nevojshme për zhvillimin e këtyre aktiviteteve duke nisur nga materialet kancelarike, mjete pune për pastrim, bluza, dizenjimin dhe shtypjen e broshurave e të tjera. Po e njëjta mbështetje u është ofruar këtyre shkollave edhe këtë vit me synimin për t‘a shndërruar këtë iniciativë në një projekt të qëndrueshëm të vlefshëm për të gjithë. Synimi i këtij aktiviteti, përveç mbrojtjes së mjedisit, është edhe të angazhojë fëmijët në projekte të përbashkëta, përfitimet e të cilave ndahen për vetë komunitetin. Ky projekt nuk do të ketë vetëm impakt të fortë social, por edhe një efekt pozitiv mjedisor, pasi menaxhimi i mbetjeve është një problem serioz për Shqipërinë.
Facebook
Twitter
LinkedIn