“Një sistem drejtësie i pavarur, funksional dhe i besueshëm është faktor i domosdoshëm për të gjithë!”

FIAA: Cilat kanë qenë sfidat më të mëdha që ju është dashur të kapërcenit gjatë katër viteve të para të fazës së shfrytëzimit të hidrocentalit të Ashtës?

 

Dietmar Reiner: Kemi investuar më shumë se 200 milion euro, deri në fund të vitit 2012, për të ndërtuar një hidrocentral bashkëkohor. VERBUND dhe partneri i tij EVN ishin të parët investitorë të mëdhenj privatë që hynë në sektorin energjetik shqiptar. Për shkak të situatës së vështirë në vitin 2008, vit në të cilin u nënshkrua kontrata e koncesionit, u ra dakord me qeverinë për të nënshkruar një marrëveshje afatgjatë për shitblerjen e energjisë elektrike. Kjo marrëveshje hyri në fuqi në prill të vitit 2013 dhe deri në qershor të vitit 2016 blerësi ishte KESH, por më pas iu transferua OSHEE-së. Gjatë katër viteve të fundit, sektori energjetik shqiptar ka kaluar shumë sfida, veçanërisht në hallkën e fundit të zinxhirit të furnizimit, për shkak të situatës së vështirë në sistemin e shpërndarjes dhe furnizimit të konsumatorëve fundorë. Këto vështirësi ndikuan gjithashtu edhe në aktivitetin tonë. Vonesat e pagesave, të cilat na krijuan vonesa të mëdha në shlyerjen e borxhit ndaj huadhënësve tanë, përbënin problemin kryesor. Duke marrë parasysh kualifikimin e aksionerëve tanë si subjekte të rëndësishme të ofrimit të shërbimeve publike në sektorin energjetik në Austri, mirëkuptimin tonë për situatën dhe besimin në suksesin e reformës së nevojshme në sektorin energjetik, ne, po kështu edhe aksionarët e huadhënësit tanë, arritëm të ruanim qetësinë dhe fokusin gjatë asaj periudhe.

 

Cili ishte çelësi i suksesit në kapërcimin e këtyre sfidave?

 

Së pari, edhe pas ndryshimeve politike të vitit 2013, pati një vazhdimësi të bashkëpunimit të ngushtë dhe të frytshëm me qeverinë dhe blerësit, partnerët tanë kryesorë vendas. Ky është një faktor tepër i rëndësishëm për investitorët e huaj. Së dyti, reformat në sektorin energjetik që nisën në vitin 2013 ishin të suksesshme. Thjesht bëni një krahasim të edicioneve të përditshme informative në vitin 2013 dhe tani. Së treti, partnerët tanë kontraktualë arritën të respektonin kushtet e kontratës. Nga ana tjetër, ne treguam mirëkuptim ndaj situatës. Kam bindjen se, gjetja e një zgjidhjeje të përbashkët dhe me mirëkuptim për problemet që lindën gjatë asaj periudhe, ishte gjëja më e mirë për të gjitha palët e përfshira.

 

Sipas këndvështrimit tuaj, si ka ndryshuar klima e biznesit për investitorët e huaj gjatë viteve të fundit?

 

Përgjigjja ime do të jetë shumë e paanshme dhe e drejtë, sipas traditës politike të vendit tim: Dy investime të mëdha infrastrukturore që janë duke u kryer aktualisht në Shqipëri, TAP-i dhe Projekti Hidroenergjetik i Devollit, kanë nisur kohë më parë, por qeveria aktuale u ka garantuar këtyre investitorëve vazhdimësinë e biznesit. Kjo është një shenjë e mirë për investitorët e rinj që mendojnë të investojnë në Shqipëri. Nuk duhet të harrojmë se ekonomia evropiane është prej vitesh në gjendje krize dhe gatishmëria e investitorëve strategjikë me bazë në Evropë, ashtu si ne, është ulur ndjeshëm. Thënë kjo, rënia e investimeve nuk vjen vetëm si pasojë e situatës në Shqipëri.

 

Së fundmi, do të doja të inkurajoja qeverinë aktuale dhe atë të ardhshme për të vazhduar reformat dhe për të konkurruar denjësisht me vendet e tjera të Evropës juglindore për investimeve të huaja të reja.

 

Cilat janë pritshmëritë tuaja në lidhje me ecurinë e ekonomisë shqiptare, duke qenë në mes të një viti elektoral? Sipas jush, a ka rrezik për ulje apo ngritje çmimesh në terma afatmesëm?

 

Kam besim në vazhdimësinë e aktiviteteve ekzistuese, por vetëm pas përfundimit të fushatës elektorale dhe pas formimit me sukses të qeverisë së ardhshme mund të presim reforma të reja, si dhe nxitje e ndërmarrje të investimeve të reja. Shpresoj shumë që reforma në drejtësi të rinisë sa më shpejtë dhe që sistemi i drejtësisë të zhbllokohet dhe të marri një drejtim pozitiv. Një sistem drejtësie i pavarur, funksional dhe i besueshëm është faktor i domosdoshëm jo vetëm për ne investitorët por për të gjithë.

 

Cilat mendoni se janë përmirësimet thelbësore që duhen bërë në klimën e biznesit për të tërhequr më shumë investitorë të huaj në Shqipëri?

 

Çelësi për të ardhmen e Shqipërisë është aftësia e politikbërësve në Shqipëri për të kapërcyer krizën aktuale demokratike dhe shndërrimin e saj në një situatë të favorshme për shoqërinë shqiptare. Kriteri i dytë thelbësor është zbatimi i suksesshëm i reformës në drejtësi. Çdo investitor i ri që synon tregun shqiptar fokusohet fillimisht mbi këto çështje.

 

Për më shumë klikoni këtu.
Facebook
Twitter
LinkedIn