VERBUND dhe EVN përurojnë hidrocentralin e Ashtës në Shqipëri

Maria Enzersdorf, Shkodër, Vjenë; 18.9.2012. Shoqëria e projektit "Energji Ashta" dhe pronarët e saj VERBUND dhe EVN përurojnë sot në Shqipëri një risi mbarëbotërore: ndërtimin e hidrocentralit më të madh me teknologjinë Matrix duke përdorur turbinat e vogla. Hidrocentrali i Ashtës është ndërtuar përgjatë 30 muajve të fundit në veri të Shqipërisë, në afërsi të Shkodrës, qyteti i katërt në vend për nga madhësia. Ai është investimi më i madh në 30 vitet e

fundit në tregun shqiptar të energjisë. Përveç kësaj, në lumin Drin është përdorur teknologjia më novatore: Teknologjia Matrix (një turbinë e vogël me madhësinë e një kabine telefoni) bën të mundur shfrytëzimin mjaft efikas të energjisë hidrike. Në hidrocentralin e Ashtës do të prodhohen çdo vit në të ardhmen 240 milion kWh energji elektrike, duke siguruar kështu furnizimin me energji të rinovueshme për 100 000 familje shqiptare.

Hidrocentrali i Ashtës do të prodhojë energji për 100 000 familje, do të hapë vende të reja pune dhe do t’i japë rajonit dhe vendit zhvillime ekonomike pozitive. Ai përmirëson sigurinë e furnizimit me energji elektrike dhe kontribuon në uljen e varësisë së Shqipërisë nga importi i energjisë elektrike. Ai është projektuar si miqësor ndaj mjedisit dhe nuk prodhon asnjë emetim. Në përfundim të periudhës 35-vjeçare të koncesionit, hidrocentrali do t’i dorëzohet Republikës së Shqipërisë.

Impianti është i ndarë në dy pjesë: Ashta 1, do të prodhojë për herë të parë energji elektrike, aty ku përpara tre dekadash është ndërtuar rezervuari i Spatharës me digën kundër përmbytjeve dhe sistemet e vogla vaditëse për bujqësinë.

Pas një kanali shkarkimi rreth pesë kilometër të gjatë që shtrihet deri në thellësi në afërsi të fshatit Ashtë, Ashta 2 do të prodhojë energji elektrike për herë të dytë. Edhe këtu do të përdoren turbinat Matrix. Për të dy hidrocentralet e Ashtës turbinat do të furnizohen nga Andritz-Hydro, të cilat janë gjithashtu prodhim austriak.

Kapaciteti total i të dy centraleve elektrike (Ashta 1 dhe Ashta 2) është rreth 53 megavat (MW) dhe çdo vit do të prodhohen rreth 240 milion kilovat-orë energji elektrike. Kjo është rreth një e katërta e sasisë që mund të prodhojë hidrocentrali Freudenau në lumin Danub në Vjenë. Punimet e ndërtimit kanë filluar në mars 2010: vlera e investimit shkon në rreth 200 milion Euro.

Kompanitë austriake në fushën e energjisë VERBUND dhe EVN janë të njohura për standardet e larta dhe besueshmërinë e tyre. Për këtë projekt është përdorur i gjithë spektri i njohurive dhe i ekspertizës në sferën e energjisë hidrike. Gjithashtu, projekti është realizuar sipas standardeve më të larta botërore dhe përbën gjithashtu ndihmën e parë të ndërtuar në Shqipëri për kalimin e peshqve.

Nëpërmjet tij, për herë të parë që prej viteve ’70 të shekullit të kaluar, peshqit do të mund të notojnë të papenguar që nga rezervuari i Spatharës deri në detin Adriatik.

Projekti i hidrocentralit të Ashtës është ndërtuar sipas rregullave të Mekanizmit për Zhvillim të Pastër (MZHP) të Konventës Kuadër të Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike (KKKBNK). Ai nuk do të shkarkojë asnjë emetim të CO2 dhe duke qenë hidrocentral ai do të kontribuojë në kursimin e rreth 114 000 tonëve CO2 çdo vit. MZHP parashikon një dialog gjithëpërfshirës me grupet e interesit, dialog i cili këtu në Shqipëri është zhvilluar deri më tani në mënyrë unike. Përveç një menaxhimi profesionist të grupeve të interesit në nivel kombëtar, edhe palët e interesuara dhe ato lokale, si përfaqësuesit politikë të komunës, fqinjët dhe banorët, janë informuar gjerësisht nëpërmjet takimeve të rregullta të konsultimit publik.

E gjithë energjia elektrike e prodhuar në Ashtë do të blihet për 15 vjet nga Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH), furnizuesi publik shqiptar i energjisë elektrike. Pas kësaj periudhe, kontrata e blerjes së energjisë mund të zgjatet ose energjia elektrike mund të shitet në tregun e energjisë.

Facebook
Twitter
LinkedIn