Energji Ashta i dhuron një makinë ambulancë bashkisë së Bushatit

Energji Ashta i dhuron një makinë ambulancë Bashkisë së Bushatit duke mbajtur kështu premtimin ndaj komunitetit se është një partner dhe fqinj tek i cili mund të mbështetesh.

HEC-i i Ashtës është investimi më i rëndësishëm në fushën e energjisë në dy dekadat e fundit në Shqipëri. Kjo vepër energjetike furnizon që prej datës 1 prill 2014 Korporatën Elektroenergjetike Shqiptare dhe rrjedhimisht 100.000 familje shqiptare me energji të pastër për përdorim familjar. Ndërtimi i këtij hidrocentrali modern siguron furnizim të pandërprerë për Shqipërinë duke ulur ndjeshëm importet e energjisë. Energji Ashta është kthyer në këtë mënyrë në një partner serioz dhe profesional për qeverinë shqiptare dhe KESH. Energji Ashta dhe aksioneret e saj VERBUND AG dhe EVN kanë dëshmuar të jenë partnerë të besueshëm, veçanërisht në këto kohë të vështira të cilat po kalon sektori energjetik shqiptar.

Përgjegjësia Sociale e Kompanisë

Energji Ashta dhuroi sot një makinë ambulancë për Bashkinë e Bushatit, e cila do të ketë mundësi të përfitojë nga ky mjet komod mjekësor. I pranishëm gjatë ceremonisë së dorëzimit, Dietmar Reiner, Drejtor Menaxhues i projekt kompanisë Energji Ashta tha: ”Është një kënaqësi e madhe për Energji Ashtën t’i dhurojë sot një makinë ambulancë Bashkisë së Bushatit. Ne kemi ndërtuar një vepër të jashtëzakonshme energjetike që e ka kthyer Shqipërinë në një pikë referimi teknologjik, kemi hapur vende të reja pune dhe i kemi dhënë një impuls pozitiv ekonomisë lokale. Për ne, përgjegjësia ndaj komunitetit është diçka serioze. Ambulanca e re do të lehtësoje dhënien e ndihmës mjekësore për banorët e komunës së Bushatit”. Kjo bashki ka në varësi një spital lokal i cili do të ndikohet pozitivisht nga ky donacion, veçanërisht duke siguruar një trajtim të shpejtë mjekësor për banorët e Komunës së Bushatit dhe punonjësve të kompanisë Energji Ashta në rast nevoje.

Interesi i lartë për mjedisin ka qenë gjithnjë një nga themelet e projektit që prej fillimit të ndërtimit.
HEC-i i Ashtës është i vetmi hidrocentral në Shqipëri i cili ka ndërtuar një sistem modern të migrimit të peshqve që u lejon atyre të notojnë nga deti Adriatik deri në rezervuarin e Spatharës. Kanali i kalimit të peshqve është ndërtuar në Shqipëri për herë të parë që prej viteve 70 të shekullit të kaluar. Për të mbajtur standardet më të larta mjedisore, HEC-i i Ashtës ka vënë në punë një program mjaft të gjerë të monitorimit mjedisor. Gjatë kësaj periudhe, Energji Ashta po bashkëpunon nga afër me shkollat e Komunës së Vaut te Dejës për të zhvilluar një projekt ndërgjegjësimi mjedisor, i cili synon të rrisë ndërgjegjësimin e banorëve mbi mjedisin dhe për mënyrat si ai ndikon në jetët dhe mirëqënien e tyre. Në fund të këtij aktiviteti, më datë 27 Maj secilës shkollë do t’i akordohet një çmim në vlerë monetare që do të përdoret për të plotësuar nevojat e vetë shkollave.
Energji Ashta po ashtu po mbështet shkollën austriake “Peter Mahringer” duke paguar bursën vjetore të dy nxënësve dhe duke u ofruar mundësi për të bërë praktikën pranë kompanisë. Projekt kompania Energji Ashta mbështet me krenari fushën e arsimit ashtu sikurse ka treguar në të kaluarën. Në shkurt të viti 2011, kompania i dhuroi dy nxënësve të shkollës austriake bursa prej 720 Eurosh për një vit mësimor për secilin. Në muajin tetor të të njëjtit vit Energji Ashta organizoi një konkurs vizatimi ku morën pjesë nëntë shkolla 9-vjeçare nga Komuna e Bushatit dhe Bashkia e Vaut të Dejës. Përgjigjja ishte mbresëlënëse: 139 vizatime prej më se 100 nxënësve pjesëmarrës. Në fund të konkursit u shpërndanë tre çmime për një shumë totale prej 3.500 Eurosh për tre shkollat fituese, të cilat i shpenzuan paratë në artikuj të ndryshëm për të përmirësuar infrastrukturën e tyre në varësi të nevojave. Në maj të vitit të kaluar Energji Ashta i dhuroi 10 laptopë të përdorur shkollës fillore “Prekë Cali” në Komunën e Bushatit. Kjo shkollë është një nga ndërtesat e shumta të prekura rëndë nga përmbytjet e fillimvitit 2010. Gjatë kësaj ngjarjeje, të gjithë kompjuterët e shkollës u dëmtuan, ndërsa mësimet e informatikës jepeshin vetëm nga ana teorike.

Facebook
Twitter
LinkedIn