Energji Ashta bashkon forcat me shkollat lokale për të mbrojtur mjedisin

Ceremonia e dhënies së çmimeve për projektin e qëndrueshëm “Ta ruajmë të bukur komunën tonë. Trego vlerat, hidh në kosh plehrat”

Mjedë/Vau i Dejës, 27 Maj 2014

Data 27 Maj shënoi finalizimin e një projekti mjedisor mjaft të gjerë dhe ambicioz “T‘a ruajmë të bukur komunën tonë. Trego vlerat, hidh në kosh plehrat” të iniciuar nga Energji Ashta në bashkëpunim me shkollat lokale të Mjedës dhe Vaut të Dejës. Rritja e ndërgjegjësimit ndaj grumbullimit të mbeturinave ishte kryefjala e këtij projekti të shtrirë përgjatë disa muajve. Të dyja komunitetet që jetojnë përgjatë rrjedhës së lumit Drin po bëhen dëshmitare të asaj që mund të konsiderohet një “katastrofë e paralajmëruar ekologjike” për shkak të ndotjes së rëndë në lumin Drin. Në ceremoninë e dhënies së çmimeve sot, Peter Stelzer, drejtor menaxhues i kompanisë Energji Ashta, falenderoi të dyja shkollat për pjesëmarrjen e tyre dhe u dorëzoi secilës shkollë pjesëmarrëse ceqet simbolike me vlerë 1.000 Euro secili, fonde që do të shkojnë për plotësimin e nevojave infrastrukturore të shkollave.
HEC- i i Ashtës është HEC-i i fundit në kaskadën e lumit Drin. I ndërtuar me një teknologji moderne, HEC-i me një kapacitet prej më shumë se 52 MË ka kontribuar në parandalimin e kalimit të 162,25 tonëve mbetje (vetëm për periudhën janar – maj 2014) që pluskonin në Drin dhe që rrjedhimisht do të përfundonin në detin Adriatik. Mbeturinat e grumbulluara në pajisjen e posaçme të vendosur para turbinave janë të shumllojshme, ku përfshihen edhe kafshë të ngordhura nga fermat e ndodhura pranë. Duke peshuar seriozitetin e kësaj situate, veçanërisht duke konsideruar faktin që ujërat e kontaminuar përdoren për të ujitur kopshtet apo për qëllime të tjera shtëpiake, Energji Ashta ndjeu përgjegjësinë të niste një projekt që do të informonte banorët e zonave përqark HEC-it për rreziqet që mund të cënonin shëndetin e tyre.
Projekt i qëndrueshëm
Sot Energji Ashta ishte shumë e kënaqur të merrte pjesë në finalizimin e projektit “T’a ruajmë të bukur komunën tonë. Trego vlerat, hidh në kosh plehrat”. Nxënës shumë kreativë organizuan ekspozita në mjediset e shkollave të tyre me objekte të shumllojshme të krijuara nga mbetje të riciklueshme, vizatime me temë mjedisin, pjata me ushqime vendase e mjaft të tjera. Nxënësit të mbështetur edhe nga mësuesit mbollën pemë në oborrin e shkollës, si edhe vendosën në mjediset e shkollës nëntë kosha mbeturinash të diferencuara me kapacitete prej 120 litrash secili, të gjitha të siguruara nga Energji Ashta. Fëmijë të tjerë të shkollës kishin nisur ndërkohë prej mëngjesit aksionin e pastrimit në pikat më të prekura nga mbetjet në fshatrat apo zonat përkatëse. Në njërën nga shkollat Energji Ashta do të kontribuojë financiarisht në renovimin e një prej banjove të shkollës. Stafi i Energji Ashtës ishte po ashtu shumë i lumtur të merrte pjesë në aksionin e pastrimit dhe të jepnin kontributin e tyre në këtë aktivitet të rëndësishëm. Peter Stelzer, drejtor menaxhues i Energji Ashtës tha gjatë vizitës në njërën nga shkollat se “këto projekte kanë një rëndësi shumë të madhe si për Energji Ashtën ashtu edhe për komunitetin. Jetët tona janë shumë të ndikueshme nga mjedisi në të cilin jetojmë ndaj duhet të kujdesemi për të aq shumë sa kujdesemi edhe për shëndetin tonë. Jam shumë krenar që jam sot këtu dhe që kam mbështetur këta nxënës kaq të talentuar për t’i dhënë zë mendimeve të tyre. Energji Ashta përfaqëson standarded më të larta sociale dhe mjedisore dhe këto janë vlerat që ne duam të ndajmë me fqinjët tanë.
Si nisi projekti
Ky aktivitet kurorëzoi një angazhim më të gjerë si nga Energji Ashta, ashtu edhe nga shkollat e Mjedës dhe Vaut të Dejës. Në nëntorin e vitit të kaluar, kompania ndërmjetësoi pjesëmarrjen e mësueseve përkatëse të lëndës së biologjisë në një seminar mjedisor të organizuar nga Kultur Kontakt Austria me pjesëmarrjen e shkollave të ndryshme nga i gjithë vendi. Në shkurt të këtij viti një eksperte biologjie u kontraktua nga Energji Ashta për të zhvilluar disa leksione për rritjen e ndërgjegjësimit mjedisor në të dyja shkollat. Përgjatë dy javëve nxënësit mësuan rreth mbetjeve të rrezikshme ndaj shëndetit, menaxhimin e tyre, riciklimin dhe çështje të tjera të lidhura me to. Gjatë fazës së dytë të projektit, fëmijë të të dyja shkollave bazuar në informacionin e marrë gjatë leksioneve mjedisore nisën të përgatisinin vizatime të lidhura me mbrojtjen ndaj mjedisit, objekte të reja nga mbetje të riciklueshme, të pastronin mjediset rreth shkollës apo vendbanimeve dhe të shpërndanin broshura ndërgjegjësuese tek banorët e zonave ku jetojnë. Gjatë kësaj faze, Energji Ashta u ka siguruar shkollave të gjitha materialet baze apo pajisjet e nevojshme për zhvillimin e këtyre aktiviteteve duke nisur nga materialet kancelarike, mjete pune për pastrim, bluza, dizenjimin dhe shtypjen e broshurave e të tjera.

Synimi i këtij aktiviteti, përveç mbrojtjes së mjedisit, është edhe të angazhojë fëmijët në projekte të përbashkëta, përfitimet e të cilave ndahen për vetë komunitetin. Ky projekt nuk do të ketë vetëm impakt të fortë social, por edhe një efekt pozitiv mjedisor pasi menaxhimi i mbetjeve është një problem serioz për Shqipërinë.

Facebook
Twitter
LinkedIn