Data 8 qershor ishte një ditë e veçantë për ekipin e Ashtës. Sot ata mirëpritën në hidrocentral më shumë se 30 nxënës nga shkollat fqinje të Mjedës dhe të Vaut Dejës.
Ekipi i Ashtës u angazhua për t‘a bërë të paharruar këtë ditë për fëmijët të cilët patën mundësi të njiheshin me një investim shumë modern. Ata mundën të shihnin më nga afër teknologjinë impresionuese të përdorur për të prodhuar energji.
Ndalesa më e rëndësishme ishte pranë makinerisë së pastrimit të mbeturinave, e cila filtron ujin e lumit përpara se të hyjë në turbina. Sasia e mbetjeve e grumbulluar në hidrocentralin e Ashtës për 4 muajt e parë të vitit 2016 ishtë 32.3 tonë. I njëjti ujë i ndotur përdoret po ashtu nga familjet përgjatë rrjedhës së lumit për sistemet e tyre të vaditjes.
Të njohur me gjendjen, fëmijët u angazhuan të ndryshonin sjelljen e tyre karshi mënyrës se si sillen me mbeturinat jo vetëm në shkollë, por edhe në përditshmëri për të dhënë ndihmën e tyre në përmirësimin e cilësisë së ujërave.
Për të tretin vit radhazi, Energji Ashta u dhuroi shkollave dy çeqe simbolike me vlerë 1.000 Euro secili. Kjo dhuratë do të përdoret nga shkollat për të përmirësuar ndonjë nga kushtet që kërkojnë ndërhyrje. Sokol Ramadani, drejtori i hidrocentralit, i falenderoi nxënësit për interesin e treguar për HEC-in e Ashtës dhe njëkohësisht i inkurajoi të angazhohen më shumë në studimet e tyre, si mënyra e vetme për të kontribuar në përmirësimin e komunitetit të tyre në të ardhmen.
HEC-i i Ashtës mbetet projekti energjetik koncesionar më i suksesshëm në Shqipëri. I ndërtuar brenda një kohe rekord, hidrocentrali gjeneron më shumë se 242 milionë kËh energji në vit, duke furnizuar rreth 100.000 familje me energji të pastër.