Standarde të larta sigurie në hidrocentralin e Ashtës

Energji Ashta ka ngritur një sistem menaxhimi emergjencash dhe krizash. Gjatë viteve të fundit, stafi i Energji Ashtës është trajnuar në ndjekjen e procedurave të emergjencave dhe krizave bazuar në planin e brendshëm të menaxhimit të emergjencave.

Pas përfundimit të fazës përgatitore, Energji Ashta organizoi një ushtrim emergjence në terren më datë 29 gusht 2017.

Synimi i këtij simulimi ishte të vlerësonte në mënyrë rigoroze aftësinë e rekuperimit pas incidenteve, emergjenceve dhe krizave. Gjatë vënies në zbatim të ushtrimit, u bë i mundur vlerësimi i koordinimit dhe komunikimit mes drejtuesit të qendrës së menaxhimit të emergjencave dhe menaxhimit të emergjencave ne Vienë, me të gjithë aktorët e brendshëm dhe të jashtëm. Po ashtu, u vendos në test edhe zinxhiri i veprimeve të menjëhershme nën rrethana tensionuese, nën presionin e kohës, raportimi ndërmjet hallkave, menaxhimi i mediave dhe ndërhyrje taktike të paparashikuara.

Përgatitjet për realizimin e këtij simulimi ambicioz kanë nisur gjatë gjysmës së parë të vitit 2017 dhe Energji Ashta është shumë krenare që pati mbështetjen e policisë së Shkodrës, njësisë së forcave speciale, zjarrfikësve të rrethit Shkodër, shërbimit të emergjencave civile Shkodër dhe MRDC-së (përgjigjja mjekësore e trupit diplomatik).

Për Z. Gerhard Führer, drejtues i ushtrimit simulues në terren, “organizimet e lidhura me ushtrimin në terren kishin të bënin me një skenar shumë kompleks dhe kërkues. Shërbimet e ndryshme të menaxhimit të emergjencave reaguan në mënyrë të koordinuar, duke përmbushur detyrën në mënyrë profesionale”.

Pas përfundimit me sukses të ushtrimit simulues ku morën pjesë më shumë se 50 persona, Z. Gjovalin Loka, drejtor i policisë së Shkodrës shprehu kënaqësinë e tij që mori pjesë në një organizim të tillë, çka do të mund të ndihmonte edhe vetë forcat policore në administrimin më të mirë të skenareve të mundshme krizash në të ardhmen.

Gjatë fazës së nxjerrjes së konkluzioneve pas përfundimit të ushtrimit simulues, Z. Dietmar Reiner i falenderoi të gjithë pjesëmarrësit të përfshirë në këtë organizim duke theksuar rëndësinë e madhe të bashkëpunimit të suksesshëm në kohë krizash.

Facebook
Twitter
LinkedIn